Pse shumica e te krishtereve sot nuk besojne qe shpetimi eshte vetem prej hirit | 5 Pikat - Doktrinat e Hirit

5 Mësimet dhe të Vërtetat Biblike që besoheshin dhe mësoheshin nga Reformatorët dhe Protestantët por sot të injoruara dhe të kundërshtuara nga Kisha Moderne.

Pse shumica e te krishtereve sot nuk besojne qe shpetimi eshte vetem prej hirit

Shpërndaje
Nga Jeffrey C. Nesbitt


Fjala e Zotit shpall që shpëtimi është vetëm prej hirit të Perëndisë. Shumica e të krishterëve sot do të të pohojnë që shpëtimi është “vetëm prej hirit”. Dhe kjo është një gjë e mirë. Gjithësesi, ka arsye për të besuar që teologjia që sot përqafohet nga shumica e ungjillorëve është armiqësore dhe kundër të vërtetës biblike “Shpëtimi i përket Zotit.” (Jona 2:10). Ajo që do të shikojmë tani është një prezantim grafik i të kuptuarit të shpëtimit që mbahet nga shumica e ungjillorëve sot. Shpresa është që kjo do të ndihmojë shumë besimtarë të mendojnë seriozisht rreth asaj që besojnë, të paktën intelektualisht, dhe të kuptojnë që këto bindje kaq shumë të përhapura midis ungjillorëve nuk përfaqësojnë, madje janë kundër të vërtetës që “Shpëtimi është prej Zotit; vetëm prej hirit të Tij!”



Pikëpamja e përhapur ungjillore sot

Cfarë kontribon në shpëtim cdo person i Trinitetit?
 
1. Ati “do” të gjithë njerëzimin.
    Dashuria e Atit shtrihet në mënyrë të barabartë ndaj personit “A” po aq sa edhe ndaj personit “B”.
 
2. Biri “vdiq” për të gjithë njerëzimin.
    Vdekja e Birit ishte njësoj efektive si për personin “A” ashtu edhe për personin
“B”.
 
3. Fryma e Shenjtë “tërheq” të gjithë njerëzit.
    Fryma e Shenjtë influencon personin “A” jo më pak se personin “B”.





Le të përmbledhim pikëpamjen e përhapur ungjillore ilustruar nga diagrami më lart.
  1. Ati shtrin dashurinë e tij të përjetshme ndaj gjithë njerëzimit pa dallim. Ai nuk do dikë më shumë se të tjerët. Ata që janë të pashpëtuar dhe të destinuar për dënimin e përjetshëm janë të dashur në të njëjtën mënyrë dhe jo më pak se ata që janë të shpëtuar dhe të destinuar për lavdinë e perjetshme.
  2. Biri vdiq për të gjithë njerëzimin. Ai vuajti ndëshkimin për të gjithë, kështu që borxhi i cdo njeriu është i paguar plotësisht. Vdekja e Krishtit është e mjaftueshme dhe efektive për të gjithë.
  3. Fryma e Shenjtë vjen te të gjithë njerëzit dhe jep influencën ose tërheqjen që është e nevojshme për të ardhur te Krishti për shpëtim. Kjo influiencë i jepet gjithë njerëzimit pa dallim.


Atëhere cfarë është e gabuar me këtë pikëpamje?
 
Nëse Ati do të gjithë njerëzimin; të gjithë ata që qëndrojnë të pashpëtuar (përfaqësuar nga “A”) njësoj si ata që janë të shpëtuar, (përfaqësuar nga “B”) . . . 
Nëse Biri vdiq për të gjithë njerëzimin; duke paguar për mëkatet e atyre që kurrë nuk do të shpëtohen (përfaqësuar nga “A”) dhe të atyre që do të shpëtohen (përfaqësuar nga “B”) . . . 
Nëse Fryma e Shenjtë tërheq të gjithë njerëzit; duke dhënë influencën e nevojshme për të ardhur te Krishti atyre që do të dënohen (përfaqësuar nga “A”) njësoj si ata që do të shpëtohen (përfaqësuar nga “B”) . . . 
Atëhere kjo ngre pyetjen: Nëse shpëtimi është vetëm prej hirit, Atëhere pse nuk shpëtohen të gjithë njerëzit?
 
Ungjillorët do të përgjigjen: Për shkak të mosbesimit! Jo të gjithë njerëzit e pranojnë Jezusin si Shpëtimtarin e tyre. Ndërsa ne biem dakord që jo të gjithë njerëzit do të pendohen dhe do të besojnë te Krishti për shpëtimin e tyre, pyetja përsëri mbetet pa përgjigje. Nëse është hiri i Perëndisë ai që shpëton, atëhere pse ata që përfaqësohen nga “A”, ata që nuk do të shpëtohen, nuk shpëtohen? Ne duhet të ndalojmë pak në këtë pyetje për të zbuluar problemin themelor me këtë teologji të “hirit” që është përqafuar nga ungjillorizimi modern.
  1. Meqënëse dashuria e Perëndisë shtrihet mbi të gjithë njerëzit; Te “A” po aq sa edhe “B”, atëhere nuk mund të jetë kjo dashuri ajo që shpëton. Ajo nuk është efektive për shpëtim, meqënëse të gjithë njerëzit janë marrësit e dashurisë së Perëndisë por prapësëprapë një grup mbetet i pashpëtuar.
  2. Meqënëse vdekja e Krishtit është për të gjithë njerëzit; Për “A” po aq sa edhe “B”, atëhere nuk mund të jetë kjo vdekje që shpëton. Që Krishti duhet të paguajë dënimin dhe të heqë borxhin është e nevojshme, sepse pa derdhur gjak nuk ka falje të mëkateve. Por përsëri ka mori njerëzish për të cilët Krishti vdiq, që do të humbasin sipas kësaj pikëpamje.
  3. Meqënëse të gjithë njerëzit tërhiqen, të influencuar nga Fryma e Shenjtë; në mënyrë të barabartë  po aq sa “A-ja” edhe “B-ja”, atëhere nuk mund të jetë kjo tërheqje ajo që shpëton. Sepse megjithëse e nevojshme, ata që janë në “A” janë të destinuar për dënim të perjetshëm ndërsa ata që janë në “B” janë të shpëtuar.
Tani, në një mënyrë të dhimbshme, bëhet e qartë që hiri i Perëndisë i shfaqur dhe i dhënë në dashurinë e Perëndisë, në vdekjen e Birit dhe në tërheqjen e Frymës së Shenjtë, megjithëse i nevojshëm, është i pamjaftueshëm për të shpëtuar. Për këtë arsye, ne pyesim përsëri, Kush shpëton atëhere nëse hiri nuk është shkaktari efektiv i shpëtimit? Përgjigjja që mbetet është e pakundërshtueshme. Ajo që shpëton  nuk është vetëm hiri, por ajo cfarë një person bën! Ajo që i dallon ata që përfaqësohen në “B” nga të gjithë ata që përfaqësohen në “A” është “vendimi i tyre për Krishtin”. Dhe ky “vendim për Krishtin” për këtë arsye bëhet një vepër. Dhe edhe nëse ndokush do të thoshte që ky vendim është një dhuratë nga Zoti, ai përsëri mbetet shkaktari efektiv që kap shpëtimin dhe është ajo cfarë e dallon një person nga një tjetër. Në të vërtetë, ky është Perëndia që ndihmon njeriun të shpëtojë vetveten. 

Cila është përgjigjja e Biblës?
 
Shkrimet mësojnë dicka krejt tjetër  nga ajo që besohet masivisht prej ungjillorëve sot. Ajo që ne lexojmë është që Perëndia ka një dashuri të vecantë, shpëtuese dhe zgjedhëse për ata që Ai ka paracaktuar për shpëtim në krishtin Jezus. 
Mateu 25:34 - “Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; trashëgoni mbretërinëu bë gati për ju që nga themelimi i botës.”
Gjoni 17:24 - Jezusi: “O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë,”
Romakët 11:5, 6 - “Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit. Dhe, nëse është prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir…”
Efesianët 1:4-6 – “Sikurse na zgjodhi në të përpara themelimit të botës, që të jemi të shenjtë dhe të patëmetë përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar për birësim për veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi në të dashurin, Birin e tij,
 2Thesalonikasit 2:13, 14 – “…Perëndia ju zgjodhi që në fillim për shpëtim, në shenjtërimin e Frymës dhe të besimit në të vërtetën; tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tone, Jezu Krisht.”
1Pjetri 2:9 – “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore,  komb i shenjtë, popull i fituar nga Perëndia, që të shpallni lavdinë e atij, që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;”
Vdekja e Zotit Jezus ishte nje vdekje zëvendësuese që siguron shpëtimin e atyre për të cilët ishte synuar. 
Mateu 1:21 - “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre"
Mateu 20:28 - “Ashtu si Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbehet, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shumë veta.
Gjoni 10:11 – “Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.”
 Gjoni 10:25-29 – “Jezusi u përgjigj atyre: "Jua kam thënë, por nuk besoni; veprat që bëj unë në emër të Atit tim, ato dëshmojnë për mua. Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin aspak, përjetë, dhe askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime.  Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim.”
Veprat 20:28 – “Kini kujdes, pra, për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikqyrës që të kullotni kishën e Perëndisë, të cilën ai e ka fituar me gjakun e vet.”
 Efesianët 5:25 – “Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën dhe e dha veten e tij për të”
 Romakët 8:32-34 – “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i drejtëson. Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai edhe u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.”
Hebrenjtë 9:15 – “Për prandaj ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpengimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së përjetshme.”
Tërheqja prej Frymës së Shenjtë u jepet atyre që janë të thirur në besim. Në kohën e kësaj tërheqje, shpirti ripërtërihet (Rigjenerimi), besimi jepet dhe personi thirret që këtë besim ta ketë vetëm në Krishtin. 
Psalmi 110:3 – “Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.”
Mateu 11:25-27 – “Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: "Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu qe e pranueshme para teje. Çdo gjë më dha në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t'ia zbulojë.
Mateu 13:10, 11, 16 – “Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: "Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?". Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: "Sepse juve ju është dhënë të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë… Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.
Mateu 16:15-17 – “Ai u tha atyre: "Po ju, kush thoni se jam unë?". Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë". Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: "I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
 Marku 4:10-12 – “Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën. Dhe ai u tha atyre: "Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra, që: "Duke parë, të shohin, por të mos vënë re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos marrin vesh, se mos kthehen dhe mëkatet u falen".
 Gjoni 6:37, 44, 45, 64, 65 – “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë… Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Në profetët është shkruar: "Dhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Kushdo, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë… Por janë disa midis jush që nuk besojnë"; sepse Jezusi e dinte që nga fillimi cilët ishin ata që nuk besonin, dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte; dhe thoshte: "Për këtë arsye ju thashë se askush nuk mund të vijë tek unë, nëse nuk i është dhënë nga Ati im".
Veprat 11:18 – “Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: "Perëndia, pra, edhe kombeve u dha pendesën për t'u dhënë jetën!"
Veprat 13:48 – “Edhe kombet, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të caktuar për jetën e përjetshme besuan.”
Veprat 16:14 – “Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.”
Veprat 18:27 – “Dhe, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Si arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata, që kishin besuar me anë të hirit.
 Romakët 8:29, 30 – “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të njësoj me shëmbëllimin e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që i paracaktoi, ata ai edhe i thirri; dhe ata që i thirri, ata ai edhe i drejtësoi; dhe ata që i drejtësoi, ata ai edhe i përlëvdoi.
 Efesianët 2:5,8,9 – “ndonëse ne ishim të vdekur nëpërmjet shkeljeve, na dha jetë bashkë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit)… Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit, dhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë… jo prej veprave, që askush të mos mburret.”
Filipanët 1:29 – “Sepse juve ju është dhënë hiri për Krishtin, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të,”
 2Timoteu 2:25, 26 – “duke i mësuar me zemërbutësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, jashtë nga laku i djallit, që i ka zënë robër për vullnetin e tij.”

A është kjo dicka e re? A është kjo vetëm një ide që besohet vetëm nga pak individë të cuditshëm? Përgjigjja është jo! Përkundrazi, ky mësim ka qënë teologjia e kishës nëpër epoka, duke filluar me Apostujt sic edhe vargjet më lart nga Shkrimi e tregojnë. Gjithësesi, sot, kjo shumë rrallë dëgjohet nga podiumet ose mësohet në shkollat biblike. Eshtë bërë një gjë jo popullore sepse e merr shpëtimin nga duart e njeriut dhe e vendos  në vendin ku i përket; në duart e Perëndisë. Shpëtimi i përket Zotit! Ne do të lëmë tani “Princin e predikuesve”, Charles Spurgeon, të ketë fjalën e fundit për këtë: 

“Nëse ka ndonjë gjë që urrehet ashpër, ai është fund e kyre ungjilli i hirit të Perëndisë, vecanërisht nëse përmendet në të fjala e urryeshme “sovranitet”. Guxo të thuash "Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri" (Romakët 9:15), dhe kritika të furishme do të të shajnë pa kufi. 
Fetari modern jo vetëm që e urren doktrinën e hirit sovran, por inatoset dhe tërbohet me përmëndjen e saj. Ai do të preferonte që ti të blasfemoje sesa të predikoje zgjedhjen prej Atit, shlyerjen prej Birit, dhe ripërtëritjen prej Frymës.
… Një ungjill që është ‘sipas njeriut’ do të mirëpritet nga njeriu; por duhet ndërhyrje hyjnore në zemër dhe në mendje për ta bërë një njeri të gatshëm për të pranuar në shpirtin e tij të brendshëm këtë ‘ungjill të papëlqyeshëm të hirit të Perëndisë. Të dashur vëllezërit e mi, mos u përpiqni ta bëni ungjillin të shijshëm për mendjet mishërore.
Mos e fshihni ofendimin e kryqit, nëse nuk doni që t’ia hiqni fuqinë. Këndet dhe cepat e ungjillit janë fuqia e tij — heqja e tyre është  heqja e fuqisë së tij. Zbutja e tij nuk është rritje e fuqisë së tij, por vdekja e tij.
Mësoni atëhere që, nëse ju e hiqni Krishtin nga Krishtërimi, Krishtërimi është i vdekur. Nëse e heq hirin nga ungjilli, ungjilli ka humbur. Nëse njerëzit nuk i pëlqejnë doktrinat e hirit, u jepni atyre më shumë prej tyre. (Metropolitan Tabernacle Pulpit, 1891, f.49)
Unë predikoj doktrinat e hirit sepse besoj se ato janë të vërteta; sepse unë i shoh ato në Shkrime; sepse përvoja ime më bën që ti dua; dhe sepse unë shikoj rezultat të shenjtë të tyre në besimtarët.  Doktrina që të predikoj është ajo e Puritanëve: është doktrina e Kalvinit, doktrina e Agustinit, doktrina e Palit, doktrina e Frymës së Shenjtë. Vetë Kreu dhe Plotësonjësi i besimit mësonte të vërtetat e bekuara që shprehen në vargun – “Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit, dhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë.  Efesianët 2:8.


Perkthyer nga  www.the-highway.com
.

No comments:

Post a Comment

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.

Pages