5 Solat | 5 Pikat - Doktrinat e Hirit

5 Mësimet dhe të Vërtetat Biblike që besoheshin dhe mësoheshin nga Reformatorët dhe Protestantët por sot të injoruara dhe të kundërshtuara nga Kisha Moderne.

5 Solat

Shpërndaje

Sola Scriptura  (Vetem Shkrimi)
Ne pohojmë se Shkrimi i pagabueshëm është i vetmi burim i zbulesës së shkruar hyjnore dhe vetëm ai mund ta lidhë ndërgjegjen. Vetëm Bibla mëson gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë nga mëkati dhe është standardi me anë të të cilit duhet të vlerësohet e tërë sjellja e krishterë. Ne mohojmë se një kredo, sinod apo individ mund të lidhë ndërgjegjen e një të krishteri, apo që Fryma e Shenjtë flet në mënyrë të pavarur apo në kundërshtim me atë që shpallet në Bibël, apo që përvoja personale shpirtërore mund të jetë një mjet zbulese.


Solus Christus  (Vetem Krishti)

Ne pohojmë se shpëtimi ynë arrihet vetëm me anë të veprës ndërmjetësuese të Krishtit historik. Vetëm jeta e tij e pamëkatë dhe shlyerja e tij zëvendësuese mjaftojnë për shfajësimin e pajtimin tonë me Atin. Ne mohojmë që ungjilli predikohet nëse nuk shpallet vepra zëvendësuese e Krishtit dhe nuk kërkohet besimi në Personin e veprën e Krishtit.


Sola Gratia  (Vetem Hiri)
Ne riafirmojmë se në shpëtim, çlirohemi nga zemërimi i Perëndisë vetëm ne anë të hirit të tij. Vetëm vepra e mbinatyrshme e Frymës së Shenjtë na sjell te Krishti, duke na çliruar nga skllavëria jonë ndaj mëkatit dhe duke na ngjallur nga vdekja shpirtërore në jetë shpirtërore. Ne e mohojmë që shpëtimi është në një farë mënyre vepër e njeriut. Metodat, teknikat ose strategjitë njerëzore në vetvete nuk mund ta përmbushin këtë shndërrim. Besimi nuk prodhohet nga natyra jonë njerëzore e parilindur.



Sola Fide (vetem Besimi)

Ne riafirmojmë se shfajësimi është vetëm me anë të hirit për shkak të Krishtit vetëm. Në shfajësim, drejtësia e Krishtit na numërohet si e vetmja përmbushje e drejtësisë së përkryer të Perëndisë. Ne e mohojmë se shfajësimi varet nga ndonjë meritë që gjendet tek ne ose në bazë të injektimit të drejtësisë së Krishtit në ne dhe mohojmë që një institucion që pretendon se është një kishë e vërtetë, por që e mohon apo e dënon sola fiden, të pranohet apo njihet si një kishë legjitime.


Soli Deo Gloria  (Vetem per lavdine e Perendise)


Ne pohojmë se meqenëse shpëtimi vjen nga Perëndia dhe është përmbushur prej tij, është për lavdinë e Perëndisë dhe duhet ta lavdërojmë gjithnjë. Duhet t’i jetojmë jetët tona përpara pranisë së Perëndisë, nën autoritetin e Perëndisë dhe vetëm për lavdinë e tij. Ne e mohojmë se mund ta lavdërojmë si duhet Perëndinë nëse adhurimi ynë ngatërrohet me zbavitjen, nëse neglizhojmë Ligjin ose Ungjillin në predikimin tonë, ose nëse vetë-përmirësimi, vetë-vlerësimi apo vetë-përmbushja lihen të bëhen alternativa të ungjillit.

No comments:

Post a Comment

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe gjithashtu të citoni burimin, pra, të përmëndni nga është marrë materiali duke e shoqëruar me adresën e kësaj faqeje.

Pages